Vitet kalojnë dhe Xhani De Biazi ka filluar të tregoëj gjithnjë e më shumë prapaskenat e lamtumirës së tij nga drejtimi i përfaqësueses shqiptare. Ish-trajneri i kuqezinjve u largua pas një fitoreje domethënëse 3-0 ndaj Izraelit, ndërsa tani pranon se në atë periudhë i mungonte motivimi për të bërë diçka më shumë me kuqezinjtë.

“Të marrësh një kombëtare është një eksperiencë shumë intensive. Duhet të punosh më shumë në mendjen e lojtarëve, nuk është e lehtë të përgatitësh dy ndeshje afër njëra-tjetrës me diferencë muajsh nga të fundit.

Në periudhën e ndërmjetme bëhet skautimi duke i ndjekur të gjithë lojtarët. Me Shqipërinë kam bërë maksimumin, kam marrë shumë vlerësime, edhe nga qeveria, është një ndjesi shumë e bukur”, tha ai për Xhanluka Di Marzion.

“U largova nga Shqipëria pasi isha atje prej 5 vitesh e gjysmë, ishim të tretët në klasifikim e na mungonin katër ndeshje, por kishim përpara Spanjën dhe Italinë ndaj të cilëve kishim humbur një herë.

I thashë presidentit që do të ndalesha për t’i dhënë pasardhësit tim mundësinë që të punonte me disa ndeshje në dispozicon para Ligës së Kombeve. Mua më mungonte motivimi, duhej ta rifilloja nga e para pasi e ndjeja veten shumë si në piedestal”, tha De Biazi për periudhën e tij kuqezi.

Trajneri pak kohë më parë ka pranuar se do t’i pëlqente të kthehej në stolin e Shqipërisë në të ardhmen për një tjetër projekt, ndërsa për momentin e vetmja gjë që e lidh me kuqezinjtë është libri që po shkruan për të treguar pikërisht historinë e tij shqiptare. /vipsport/