Kastrioti ka marrë një fitore me shumë vlerë sot në shtëpi ndaj Lushnjës. Një fitore e cila ka patur si protagonist kryesor për krutanët futbollistin Hamit Kallmeti, i cili me meritë në fund të ndeshjes ka marrë edhe trofeun si “Lojtari më i mirë” i saj.
19 vjeçari nga Nikla e Fushë- Krujës po tregon vlerat e tij më të mira tek kjo skuadër, me të cilën po luan sezonin e tij të parë dhe është përshtatur mjaft mirë duke bërë më të mirën në çdo ndeshje që aktivizohet nga trajneri Ramadan Ndreu.
Kujtojmë që Kallmeti është një mesfushor qendre i formuar tek Akademia e futbollit në kryeqytet dhe më pas luajti me Tirana U21. Më pas, siç kemi shkruar edhe më përpara për të gjatë sezonit të kaluar ka qenë tek Juve Stabia në Itali dhe ndonëse arriti ta kalontee me sukses provën, nuk arriti të firmoste për shkak të mungesës së dokumentacionit sepse si extra- comunitar nuk kishte të drejtë të luante atje.
Po ashtu ka patur si opsione të luante me Livadhiakos ne Superligen greke e po ashtu edhe me Atromitos po në Superligën e vendin fqinj si dhe me PAE Egalio në Ligën e dytë greke, por e njëjta histori me dokumentat. Dy vjet më parë, për Hamit Kallmetin është diskutuar dhe për te Rangers F.C. në Skoci por kjo nuk u bë e mundur sepse nuk u arrit të merrej dot viza britanike në periudhën e janarit.
Nisur nga këto probleme që ka hasur, mesfushori i ri ka vendosur të rikthehet në Shqipëri e ta nisë nga kategoria e parë me Kastriotin, ku po bën një paraqitje shumë të mirë dhe jo më kot në sfidën e sotme ndaj Lushnjës u shpall “Lojtari i ndeshjes”.


