Vllaznia do jetë nesër në transfertë për javën e 11-të kampionatit kundër Teutes. Shkodranët vijnë në një moment shumë të mirë pas dy fitoreve rradhazi në kampionat.

Ndërsa nga ana tjetër durrsakët kanë pasur luhatje në rezultate dhe për këtë arsye është larguar edhe Martini e në krye të pankinës bregdetare është vendosur Arapi.

Të dy ekipet vijnë në humore të ndryshme në këtë takim. Ku kuqeblutë duan të vijojnë me rezultatet pozitive ndërsa durrsakët të tentojnë ringritjen.

Por transfertat kundër Teutes kanë qenë një mallkim për Vllazninë në sezonet e fundit. 9 herë kampionët e vendit nuk arrijnë të fitojnë prej 7 vitesh në transfertë kundër Teutes.

Hera e fundit që Vllaznia ka triumfuar në këtë duel jashtë Shkodrës është në sezonin 2014-15. Më saktë më 31.08.2014, atëherë Vllaznia fitonte në shifrat 0-1 ku vendoste një gol i mesfushorit aktual të shkodranëve, Arsid Kruja.

Që nga ajo periudhë Vllaznia nuk ka arritur të fitojë kundër Teutes jashtë stadiumit “Loro Boriçi”. Sfida kësaj rradhe do zhvillohet në “Elbasan Arena” dhe jo në “Niko Dovana” të Durrësit. Ky mund të jetë edhe një ogur për të thyer “tersin” për kuqeblutë që janë futur në rrugën e duhur në kampionat.
Endri ÇINARI