Mesfushori shkodran Erald Lakti po kalon padyshim një nga momentet më të mira në karrierën e tij, duke qenë se është grumbulluar nga Montela me skuadrën e parë të Fiorentinës. Përveç grumbullimit, ai po arrin të gjejë edhe minuta dhe pas debutimit ndaj Çivas Guadalahara, Lakti ka luajtur një tjetër ndeshje.

Fiorentina e tij, u mund me rezultatin 3-0 ndaj Arsenalit dhe për Laktin kishte hapësirë në minutat e fundit. Ai u aktivizua në minutën e 84, kur rezultati ishte 2-0 ndërkohë që vetëm në minutën e fundit, “topçinjtë” shënuan edhe golin e tretë që vulosi takimin.

Ka qenë Nketiah ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 15, ndërkohë që në minutën e 65, i njëjti autor ka shënuar edhe golin e dytë. Për golin e tretë, ka menduar Uillok duke i dhënë Arsenalit një tjetër fitore. /VipSport/