Kastrioti vijon të jetë një skuadër që ende nuk ka asnjë lëvizje zyrtare, qofshin këto largime apo afrime, mirëpo ka pasur deklarata apo edhe informacione që janë lakuar së fundmi për largime të mundshme. Treshes së parë, Kaina, Okebugu dhe Zetuna, së fundmi i janë shtuar edhe tre emra të tjerë.

Në fakt, bëhet fjalë për lojtarë të rëndësishëm të sezonit të shkuar. Njëri prej tyre është Edon Hasani i cili sipas faqes së Premier Ligës kazake, ka interes nga klubi FC Turan.

Ka qenë vetë mesfushori që e ka shpërndarë edhe në rrjetet e tij sociale, mirëpo për “Panorama Sport” ka deklaruar se është ende në pritje. Hasani zhvilloi një fazë të dytë mjaft të mirë me krutanët duke dhënë një kontribut të çmuar për mbijetesën e Kastriotit.

Aktualisht mesfushori është në kontratë, por nëse oferta në drejtim të tij do të jetë serioze dhe e mirë, klubi mund ta lërë të lirë. FC Turan është një skuadër me qendër në rajonin e Kazakistanit dhe ka ndryshuar tri herë emër, teksa këtë aktualin e mban që prej 2021-shit.

Pikërisht në 2021- shin skuadra u ngjit për herë të parë në elitën e futbollit kazak. Krahas Hasanit, është edhe sulmuesi Spartak Ajazi që i ka përfunduar kontrata me Kastriotin dhe aktualisht është një lojtar i lirë. Ajazi ka zhvilluar një sezon të mirë, duke shënuar 5 gola në kampionat dhe dy në kupë.