Lionel Mesi ka tashmë në tavolinën e tij një draft të ofertës të pazakontë 10-vjeçare që i ka bërë Barcelona, për ta bindur që të nënshkruajë përsëri me katalanasit në verë. Joan Laporta nuk ka ndër mend që të lërë të ikë nga katalanasit dhe për këtë arsye, ka përgatitur një ofertë unike që mendon se mund të kënaqë argjentinasin.
Kjo ofertë ndahet në tre pjesë, ku secila ka rëndësinë e saj. E para i përket vazhdimit të karrierës te Barcelona, edhe për dy sezone si futbollist i kësaj skuadre.
Më pas, katalanasit janë të gatshëm të vazhdojnë të paguajnë me shifra relativisht të larta Mesin kur ai të transferohet në MLS, ku mendohet se është destinacioni i radhës, mundësisht me Majemin e drejtuar nga Devid Bekam. Gjatë periudhës që aktivizohet në SHBA, Mesi do të jetë ambasadori i markës së Barcelonës përtej Atlantikut.
Pjesa e tretë e kësaj kontratë, parashikon që ai të kthehet te Barça dhe të bëhet pjesë e departamentit sportiv të saj, kurdo që të vendosë që të mbyllë karrierën si futbollist. Një plan 10-vjeçar, që mendohet se do të bindë Mesin të hedhë firmën në marrëveshjen e tij me katalanasit.
Mesi nuk është përgjigjur ende, pasi kërkon më parë të dijë se cili do të jetë projekti sportiv i dy viteve të ardhshme te Barcelona, para se të vendosë nëse do të pranojë që të mbetet pjesë e klubit si futbollist apo jo. /vipsport/