Lionel Mesi është i lirë të negociojë me cilindo klub që dëshiron për të vazhduar karrierën e tij në sezonin e ardhshëm. Futbollisti argjentinas ka nisur sot zyrtarisht gjashtë muajt e fundit të kontratës e kësisoj, mund të nisë bisedimet pa pengesa nga Barcelona për të siguruar vazhdimësinë e karrierës në një klub tjetër.
Në Spanjë janë thuajse të sigurt se ky është viti i fundit i karrierës së Mesit te Barcelona, pasi ai tentoi që në verë të largohej nga katalanasit.
Ndaj e përditshmja “Marca”, në edicionin e saj special për 1 janarin, i ka kushtuar faqen e pare pikërisht transferimit të mundshëm të Mesit, larigmi i të cilit do të ishte një humbje shumë e rëndë për kampionatin spanjoll. “Mesi është i lirë të negociojë”, ishin fjalët që i referoheshin statusit të argjentinasit.
Mançester Siti dhe PSG janë dy klubet e interesuara për lojtarin dhe të vetmet që duket se kanë kapacitetet financiare për të përballuar një lëvizje të tillë. Mesi ka deklaruar pak ditë më parë në një intervistë se do të dëshironte të provonte të luante e jetonte në SHBA, por ai pritet të kalojë një tjetër eksperiencë në një kampionat europian para se të kalojë Atlantikun. /vipsport/