Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia duket se e ka nisur vitin 2026 me një fytyrë tjetër, sidomos në aspektin defensiv. Pas një viti 2025 të shoqëruar nga luhatje dhe probleme në prapavijë, kuqeblutë kanë arritur të gjejnë ekuilibrin e munguar dhe të tregojnë stabilitet në dy ndeshjet e para të këtij viti.
Shkodranët nuk kanë pësuar asnjë gol, duke regjistruar dy fitore minimale, por mjaft domethënëse. Në Kupën e Shqipërisë, Vllaznia triumfoi 1-0 ndaj Pogradecit, ndërsa në kampionat arriti një tjetër sukses me të njëjtin rezultat përballë Egnatias, një kundërshtar i fortë dhe pretendues.
Mbrojtja, e cila ishte një nga problematikat kryesore që e shoqëroi ekipin e drejtuar nga Martini gjatë vitit 2025, duket se ka gjetur “kurën” në fillimin e 2026-ës. Organizimi, përqendrimi dhe siguria në prapavijë kanë qenë elementët kyç që kanë bërë diferencën në këto përballje.
Kuqeblutë tashmë shpresojnë të vijojnë në të njëjtin ritëm edhe në ndeshjet e ardhshme, duke ndërtuar mbi këtë stabilitet defensiv dhe duke forcuar më tej besimin për objektivat e sezonit. Nëse kjo prirje vazhdon, Vllaznia mund të kthehet në një skuadër të vështirë për t’u mposhtur, ashtu siç e do tradita e saj.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


