Lionel Messi u mundua të ndërtonte aksione dhe të asistonte të tijtë, në ndeshjen ndaj Katarit. Në dy-tri momente “filtroi” topa të zgjuar pas mbrojtjes kundërshtare, por bashkëlojtarët sulmues nuk ishin në gjendje t’i kthenin në gol. Ylli i Barcelonës u mundua edhe individualisht të krijonte raste për Argjentinën, por vuajti mes mbrojtësve të shumtë kundërshtarë, që e rrethonin menjëherë sa kapte topin.
Pra, në total, ishte një 90-minutësh jo fort poizitiv për pesë herë fituesin e “Topit të Artë”, që mund të thuhet se mbeti në hije. Megjithatë, Argjentina fitoi 2-0 dhe u kualifikua në çerekfinale të “Copa America”. Kjo bën që të harrohen të gjitha dhe të shikohet përpara.
Mesa duket, babain në fushë e kompensoi i biri në tribunat e stadiumit. Djali i madh i Messit, Thiago, u fotografua duke tregua me dorë emrin pas, në fanellën me numrin 10 të Argjentinës.
Pak a shumë ishte e njëjta mënyrë festimi, sikurse bën Leo në rastin e golave. Në fakt, goli i kapitenit të Albiceleste mungoi në fushën e blertë, por kësaj radhe “shënoi” i biri, në tribuna. Ai ishte bashkë me mamanë, Antonella, dhe dy vëllezërit e tjerë, duke e mbështetur Messin në një ndeshje delikate, ku fitorja ishte detyrim, por edhe mund të mos mjaftonte për të shkuar në çerekfinale, nëse Paraguaji fitonte ndaj Kolumbisë./telesport/