Lionel Messi nuk mund të pretendojë dot kurrë të jetë lojtari më i mirë i të gjitha kohërave nëse nuk fiton Kupën e Botës, thotë Andrea Pirlo.

Legjenda e futbollit italian futet në debatin e madh dhe e ka përgjigjen e shpejtë.

Pavarësisht se Messi ka fituar pesë herë Topin e Artë dhe ka thyer rekorde pafund te Barcelona, Pirlo beson se atij i duhet një Kupë Bote për të rivalizuar me Diegon.

“Do të jetë e rëndësishme për vetë Messin dhe Argjentinën që ta fitojë Botërorin në Rusi”, tha Pirlo për “Goal.com”.

“Atë e krahasojnë gjithmonë me Maradonan, por i duhet një Botëror sepse nëse nuk e fiton atë, nuk mund të futesh në grupin e më të mirëve”.

Pavarësisht problemve që ka shfaqur Argjentina që në fazën kualifikuese, si dhe humbjen 6-1 ndaj Spanjës në një miqësore së fundmi, Pirlo beson se skuadra “albiceleste” mund të arrijë gjëra të mëdha në Rusi.

“Argjentina e ka gjithë kohën e nevojshme për t’u përmirësuar dhe mendoj se do të ecin mirë atje pavarësisht humbjes së thellë ndaj Spanjës.

Argjentina ka shumë lojtarë të mirë dhe nëse ata luajnë në nivelin e tyre maksimal, mund t’ia dalin”.

Vetë Pirlo ka një medalje si kampion bote në vitin 2006, por ka kujtime të hidhura nga ndeshja e fundit e luajtur në një Botëror, kur Italia u eliminua që në grupe pasi u mund nga Uruguai 1-0 katër vjet më parë.

Ai takim do të mbahet mend edhe për kafshimin famëkeq trë Luis Suarez ndaj Giorgio Chiellinit, por Pirlo shpjegon se nuk i mban mëri sulmuesit të Barcelonas.

“Pas ndeshjes ne ishim të gjithë të zhgënjyer me rezultatin”, kujton Pirlo. “Incidenti i kafshimit ishte diçka tjetër, por më shumë na dhimbte eliminimi i hershëm në Kupën e Botës”.

I pyetur për kë do të bëjë tifo meqë Italia nuk merr pjesë në Kupën e Botës, Pirlo tha: “Nuk do të mbështes ndonjë skuadër në veçanti, por them se Brazili është skuadra pretendente për të marrë titullin”./EDS/