Në fushë jep gjithnjë maksimumin dhe padyshim që është ndër më të mirët e kësaj Vllaznie. Mevlan Adili edhe sot ndaj Kukësit ka dhënë më të mirën e tij duke ndihmuar skuadrën shkodrane të fitojë. Pas ndeshjes ndërkohë në një prononcim për mediat, është shprehur i lumtur për këtë sukses të rradhës kur është shprehur:
“Ndjehem shumë mirë pas kësaj fitoreje ndaj Kukësit sepse në njëfarë mënyrë u hakmorrëm për atë humbje që patëm pësuar ndaj kësaj skuadre në Shkodër gjatë fazës së parë. Iu treguam të gjithëve se ishte vetëm aksident ajo humbje.
Vllaznia ndaj secilit kundërshtar futet në fushë me të njëjtin qëllim, për të bërë më të mirën dhe për të marrë maksimumin. Diferencën ndaj Kukësit besoj se e bëmë në pjesën e dytë, kur filluam të luajmë më thjesht dhe në fund na u shpërblye.
Jemi 9 pikë përpara të tjerëve, por duke pasë parasysh se janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur, duhet të mos ngutemi sepse na pret një luftë e fortë deri në fund dhe të gjitha skuadrat do të kenë një dëshirë të madhe për të fituar ndaj Vllaznisë.
Si çdo skuadër tjetër, kuptohet që ëndërron fitimin e titullit kampion, por objektivat tona janë për të kapur Europën fillimisht, më pas të shohim”/SHKODRA-SPORT.COM/