Izmir Smajlaj e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme vitin 2020. Kampion Ballkani të shtunën në Stamboll në salla të mbyllura me 7.91 metra dhe të dielën medalist i artë në Mitingun Ndërkombëtar me 7.94 metra. Për të dy këto rezultate, Smajlaj është shprehur i kënaqur për RTSH Sport.

“Me të thënë të drejtën – shpjegon Smajlaj – rezultatin më të lartë e kam pasur në mitingun e Stambollit me 7.94 metra. Nisje më të mirë sigurisht që nuk ka. Kam formën e mirë dhe shpresoj që në garat e ardhshem të kem dhe rezultate më të larta, ndërsa synojmë të jemi mbi 8 metra”. Në Kampionatin Ballkanik të sallave të mbyllura në gjashtë kërcime, Smajlaj pat bërë katër faulla.

Por rekordmeni i kërcimit e cilëson gjë normale. “Këto janë gjëra normale, sepse duke synuar të kapësh rezultatin më të lartë të mundshëm, atëherë ka dhe të tilla gabime. Por gjithsesi, nuk janë shqetësuese”. Më 27 shkurt Smajlaj do të jetë në Beograd, atje ku tre vjet më parë është shpallur Kampion Evrope me 8.08 metra.

“Sigurisht – thotë Smajlaj – që mezi e pres, aq më tepër që tre vjet më parë jam shpallur Kampion Evrope në Beograd. Besoj dhe mendoj që do të jem mbi 8 metra”. Lojërat Olimpike “Tokio 2020” dhe Kampionati Evropian në Paris janë aktivitetet madhore të verës, ndërsa synohet që të jetë mbi 8.20 metra. “Së pari, i gjithë qëllim im është të jem mbi 8.20 metra, aq më tepër që norma e kualifikimit për në Lojërat Olimpike është 8.22 metra.

Do të ketë mitingje të tjera përpara dhe unë shpresoj ta arrijë këtë rezultat, sepse dua që të jem me normë kualifikimi në këtë Olimpiadë, kjo për herë të parë”. Edhe pse Kampion Ballkani në sallat e mbyllura, Smajlaj nuk ka marrë asnjë shpërblim financiar nga shteti. Dhe kjo e shqetëson atë, ndërsa të gjithë janë mjaftuar me një: Faleminderit.

“Më ka falënderuar vetëm Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, që gjej rastin ta përshëndes. Asnjë falënderim nga Ministria, por dhe as shpërblim, ndonëse Kampionati Ballkanik është bërë një ligë prej 23 shtetesh. Shkurt ne shkojmë në gara pa asnjë lek”, ka përfunduar Smajlaj.