Tashmë që merkato është në një periudhë tepër aktive, në Shkodër ka lëvizje merkatoje edhe në dalje, përveç se në hyrje. Kështu, mbrojtësi shqiptaro-maqedonas Mevlan Adili me shumë mundësi, do të largohet përfundimisht nga Vllaznia.

Futbollisti i ardhur para dy sezonesh në Shkodër, u kthye shpejt në një nga pikat e referimit për Vllazninë duke u evidentuar, si një ndër mbrojtësit më të mirë në kampionat. Madje, gjatë kësaj periudhe për të pati edhe oferta që do e transferonin në një kampionat tjetër, por ishin drejtuesit shkodranë që këmbëngulën për qëndrimin e tij.

Megjithatë, këtë sezon edhe rendimenti i Adilit ka ardhur duke rënë dhe duket se dëshira e të dy palëve, është largimi i mbrojtësit nga Shkodra.

Ditët e fundit, ai nuk është paraqitur në stërvitje dhe nga konfirmimet që vijnë për “Shkodra Sport”, Adili mund të largohet përfundimisht nga Shkodra dhe Vllaznia. Megjithatë, pavarësisht çdo gjëje, në vazhdim ndoshta mund të ketë një konfirmim zyrtar nga ana e vetë klubit apo e vetë Adilit.
Maringlen ZHIVANI