Pasditen e sotme është përcjellë për në banesën e fundit një emër i njohur i boksit shkodran dhatij shqiptar- Nush Marina. Ai është ndarë nga jeta një ditë më parë në moshën 73 vjeçare dhesot i janë dhënë nderimet e fundit nga familjarët, shokët dhe miqtë e tij.
Nushi i përket një brezi sportistësh të pafat ndoshta të cilët nuk arritën dot ta çojnë karrierën e tyre në boks deri në fund sepse siç dihet, në fillimin e viteve ’60 u ndërpre nga regjimi i asaj kohe.
Megjithatë kujtimet që kanë lënë pas janë ende prezent tek bashkëkohësit e tyre. Mjafton kjo foto me të cilën po ilustrojmë këtë shkrim, për të mësuar më së miri për emrat e shquar të sportit të boksit në fundin e viteve ’50 dhe fillimin e viteve ’60.
Në të është trajneri i mrekullueshëm, Shyqyri Halili duke nxjerrë në ring një kampion të atyre viteve, Viktor Martinin, i vetmi që është tashmë ende gjallë nga ajo katërshe e kësaj fotoje. Duke shoqëruar Martinin janë edhe Ndoc Gjoni dhe Nush Marina, dy sportistë të tjerë të talentuar.
Ky është kujtimi i vetëm që kemi nga njeriu që është ndarë nga jeta një ditë më parë, por gjithsesi do të lërë pas një emër shumë të mirë dhe padyshim që ai është i shkruar në historinë e boksit shkodran dhe ati shqiptar.
Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Marina për humbjen e njeriut të saj të dashur dhe po ashtu edhe komunitetit të boksit, për ndarjen nga jeta të një pjestari të denjë të tyre.
© shkodrasport.com