Sion barazon 1-1 kundër Zurich në sfidën e javës së 14-të të Superligës së Zvicrës. Goli për ish-ekipin e trajnerit Tramezzani e shënoi Pajtim Kasami, futbollisti me origjinë shqiptare që luan për Zvicrën. Mesfushori realizoi në minutën e 81-të duke barazuar rezultatin në 1-1 pas golit të Rodriguez që kishte kaluar Zurich-un në avantazh në minutën e 47-të. Për Sion, Ermir Lenjani u aktivizua si titullar deri në fund të takimit, ndërsa Burim Kukeli ishte në stol, pasi sapo është rikthyer nga dëmtimi.

Në minutën e 94-t të takimit ndodhi edhe një incident mes Pajtim Kasamit dhe trajnerit të ekipit kundërshtari, Uli Forte të Zurich. Mesfushori i Sion u afrua për të marrë topin që kishte dalë jashtë vijave kufizuese, ndërsa trajneri i Zurich u mundua ta fshihte “sferën” me këmbë. Kasami shtyu me duar trajnerin Uli Forte, duke shkaktuar një kaos, pas reagimit të stolit të Zurich dhe më pas edhe lojtarëve të Sion që u përplasën mes tyre, shkruan VipSport.