Laçi u mund në Shkodër nga Vllaznia me rezultatin 1-0, duke u larguar më shumë nga zona e Europës pasi renditet e 5-ta.

Tekniku i Laçit, Gentian Mezani është shprehur se skuadra e tij ka luftuar fort për të marrë 3 pikët në këtë ndeshje por nuk kanë ndërtuar dot aksione.

Në lidhje me deklaratën e Mziut që fiton Vllaznia 1-0, ai u shpreh se nuk ka dijeni dhe nuk i interesojnë këto zëra.

“Kishim një lojtar më pak dhe e dinim se do ishte e vështirë. Rrezikuam si në pjesën e parë ashtu edhe në të dytën, por nuk arritëm të shënonim.

Ne jemi futur në fushë për të fituar këtë ndeshje dhe ditën e djeshme na ka kënaqur ndalimi i Partizanit pasi na dha një moral tjetër por më vjen keq që nuk e arritëm fitoren.

Mziu? Nuk e di këtë fakt dhe nuk dua ta komentoj pasi edhe herën e kaluar ishin këto zëra. Nëse do fitonim do renditeshim në vendin e katërt dhe gjërat tjera nuk më interesojnë.

Kemi poseduar topin dhe kemi rrezikuar në pjesën e dytë por ndërtimi i aksioneve nuk ishte siç doja.

Doja që lojtarët të kërkonim topin nëpërmjet linjave por ata nuk e bënë këtë dhe ky ishte një defekt që nuk na la të depërtonim në zonë”, u shpreh Mezani. /vipsport/