Djali i supergolave, kështu mund të etiketohet Redon Mihana, i cili dje nxori nga repertori një tjetër “perlë”, që bëhet akoma më e çmuar kur i shënohet kampionëve dhe vlen për 3 pikë.

Pas ndeshjes, sulmuesi foli ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ku nuk e fshehu lumturinë për golin dhe për fitoren 1-2 ndaj Partizanit.

Shënoni një tjetër gol të bukur, këtë herë ndaj Partizanit. Sa i lumtur jeni me paraqitjen tuaj në këtë ndeshje?

Jam shumë i lumtur për atë që bëra në fushë, shpresoj që të vazhdoj kështu me gola. Ta ndihmoj ekipin në këtë mënyrë. Patjetër jam më i lumtur që goli im vlejti për të fituar ndeshjen.

U duk sikur në disa fragmente të lojës e dominuat Partizanin. Çfarë tregon kjo për cilësitë e ekipit tuaj?

Mendoj se ekipi ka shumë cilësi. Kemi bërë një kampionat të mirë deri më tani, pavarësisht pikëve. Në pjesën e parë mendoj se e dominuam Partizanin. Në të dytën u tërhoqëm, të ndikuar edhe nga rezultati. Por mendoj se ekipi ka shumë cilësi dhe do të arrijmë edhe më lart në renditje.

Sa e vështirë ka qenë të luajë në disa role në sulm dhe sa më të lehtë e pret pas janarit me afrimet e reja?

Për mua nuk ka qenë e lehtë që gjatë gjithë kësaj kohe të luaj qendërsulmues, sepse roli im është sulmues anësor, por jam munduar gjithnjë të jap maksimumin dhe ta ndihmoj ekipin me sa mundem. Në lidhje me ardhjen e Pol, jemi të gjithë të lumtur. Shpresoj të bëjë mirë! Ka më shumë se 1 muaj në ekipin tonë dhe besoj se është përshtatur dhe është në gjendje të na ndihmojë. Edhe ndonjë lojtar tjetër që mund të vijë, shpresoj të mund të ndikojë në rritjen e cilësisë në ekip.

E mbyllni në vendin shtatë me 21 pikë. Sa të kënaqur jeni nga kjo fazë e parë e sezonit?

Sa i përket renditjes, nuk jemi të kënaqur. Asnjë në skuadër nuk ngopet me këtë pozicionim, por që sot (dje) kemi bërë mirë, e kemi mbyllur me një fitore ndaj kampionëve në fuqi. Tani kemi disa ditë pushim dhe shpresoj të kthehemi me energji të reja vitin tjetër.

Mund të themi se u hakmorët ndaj Partizanit për atë humbje të fazës së parë me gol në sekondat e fundit?

Vetë emri i Partizanit të motivon vetë. Është një ndër ekipet më të mëdhenj në Shqipëri, renditet në vendin e dytë. Por nuk ishte çështje hakmarrjeje, çdo ndeshje e luajmë për ta fituar.

Cila do të jetë e ardhmja juaj? Do ta mbyllni sezonin tek Erzeni apo mund të ketë ndonjë lëvizje në janar?

Do ta mbyll tek Erzeni.