Nga Gjergj KOLA

Nesër përfundon Kampionati i 15-të Europian i Karatesë që po zhvillohet në Riga të Letonisë, ku për të katërtin vit radhazi merr pjesë talentja lezhiane Mikela Skandaj.

Një muaj më parë, gjatë përzgjedhjes së karateistëve që do të përfaqësonin Italinë në këtë kompeticion prestigjioz, trajnerët italianë miratuan unanimisht emrin e Mikelës. Edhe pse ajo vinte nga një dëmtim dhe nuk ishte në formën më të mirë fizike, trajnerët besuan tek aftësitë dhe talenti i nënkampiones së Europës – besim që Mikela ua shpërbleu me rezultate të shkëlqyera.

Në këtë edicion, Mikela konkurroi me skuadrën italiane në dy disiplina, kata dhe kumite, në peshën deri në 60 kg. Edhe pse vetëm 16 vjeçe, trajnerët vendosën ta përfshijnë në kategorinë U17, një grupmoshë me konkurrencë të fortë. Falë përvojës dhe përkushtimit të saj, Mikela arriti të ngjitet dy herë në podium, duke siguruar dy medalje bronzi për Italinë.

Në katër kampionate europiane ku ka marrë pjesë deri më sot, sportistja lezhiane i ka dhuruar Italisë 7 medalje – 4 argjendi dhe 3 bronzi – ndërsa në total numëron plot 62 medalje personale, një rekord mbresëlënës për moshën e saj.

Mikela Skandaj vazhdon të dëshmojë se është një nga talentet më premtuese të karatesë europiane, duke nderuar jo vetëm Italinë, por edhe qytetin e saj të lindjes, Lezhën.