Pas disa kërkesave të vazhdueshme, Ministria e Shëndetësisë pak ditë më parë i ka dërguar një tjetër përgjigje Federatës Shqiptare të Boksit duke i refuzuar lejimin e zhvillimit të aktiviteteve kombëtare edhe për njëfarë periudhe. Kjo Ministri e konsideron boksin, por edhe mundjen e xhudon, një sport me rrezikshmëri të lartë përhapje virusi ngaqë ka kontakt të drejtëpërdrejtë në mes sportistësh.
Kjo gjë padyshim që ka shqetësuar drejtuesit e Federatës sepse u mbush viti pa aktivite kombëtare. krejt ndryshe nga të gjithë vendet e Rajonit ku bëhen ndeshje boksi.
Për të mbushur këtë boshllëk, është menduar që të zhvillohen “sparingje” në mes sportistëvë në qytete të ndryshme të vendit, duke filluar nga Shkodra. Boksierët më të mirë të vendit janë mbledhur në këtë qytet për të matur forcat me njëri- tjetrin.
Ka qenë i pranishëm edhe presidenti i kësaj Federate Florend Kalivopulli që në një intervistë për “Shkodra Sport” është shprehur: “Pas kërkesave të vazhdueshme në adresë të Ministrisë, prej këtu e një vit më parë, që të liberalizojë sadopak boksin, pasi në të gjithë botën është liberalizuar ky sport, me shpresën se kërkesa jonë do të merrej parasysh.
Kjo edhe ngaqë vetë sporti i boksit është i kontrolluar dhe para çdo aktiviteti sportisti bën kontrollet mjekësore dhe përpos tyre ne shtuam edhe kryerjen e tamponit, por sërish përgjigja që morëm nga Ministria ishte sërish negative.
Ne kemi një vit e gjysëm që ne boksojmë vetëm nëpër Ballkan e Europë dhe në Shqipëri nuk bëjmë ndeshje sepse nuk lejojnë. Por ndërkohë Ministria lejon zhvillimin e sparingjeve nëpër palestra, e meqë ato lejohen, do të vazhdojmë të bëjmë sparingje sepse nëse nuk i bëjmë edhe ato, boksi vd.es.
Kemi menduar të organizojmë sparingje nëpër gjithë Shqipërinë. E filluan nga Shkodra ku si gjithmonë trajneri Zef Gjoni ishte i gatshëm për të vënë në dispozicion palestrën dhe boksierët, me ju si media që e ndiqni gjithëandej dhe do të vazhdojmë edhe në qytete të tjera këto sparingje mbarëkombëtare.
Këto do të na ndihmojmë për të përzgjedhur më të mirët dhe jo vetëm. Do mundohemi të aktivizojmë të gjithë boksierët në mënyrë që ata të mos i humbasin reflekset e tyre, duke zëvendësuar në njëfarë mënyre aktivitetet e munguara të boksit”./SHKODRA-SPORT.COM/