Kombëtarja e vajzave triumfoi me rezultatin 3-1 ndaj Maqedonisë së Veriut, në ndeshjen e parë miqësore për këtë vit të ri që u luajt pasditen e djeshme në stadiumin ‘Elbasan Arena’. Goli i Megi Doçit dhe dy golat e Valentina Trokës vendosën fatin e kësaj sfide mjaft të rëndësishme për ekipin e vajzave kuqezi dhe për trajnerin Grima, i cili sigurisht mori sinjale të rëndësishme.
Kapitenia e skuadrës kuqezi, Megi Doçi ishte ajo që fillimisht baraspeshoi rezultatin e më pas dha edhe asistin e golit të avantazhit. Sulmuesja u shpreh se e rëndësishme është që skuadra fitoi dhe nënvizoi gabimet që skuadra duhet të përmirësojë në të ardhmen.
“E rëndësishme është që ekipi fitoi. Bëmë një ndeshje të mirë, duke prodhuar raste, si në pjesën e parë, ashtu edhe në pjesën e dytë. E rëndësishme është që këto raste që prodhuam, në vazhdimësi të rregullohen dhe të jemi më të sakta përpara portës. Ndihem e kënaqur me golin e shënuar, por edhe me asistin. E rëndësishme është fitorja” – tha Megi Doçi, e cila vlerësoi grumbullimin dhe miqësoren ndaj Maqedonisë së Veriut.
“Ishte një grumbullim i rëndësishëm, për të parë edhe vajzat e kampionatit tonë, si edhe gjendjen e ekipit për vazhdimësinë. Kemi ndeshjet e Ligës së Kombeve në vijim dhe për këtë arsye duhet të përgatitemi mjaft mirë që të pretendojmë kualifikimin” – përfundoi Megi Doçi.