Jeta e Miralem Pjaniçit tani rrjedh larg Italisë, në Emiratet Arabe. Ish-mesfushori i Juventusit dhe i Romës mban mbi shpinë numrin 10 të skuadrës së Sharjah, por kur bëhet fjalë për të shkëmbyer disa fjalë për Serinë A është gjithmonë i gatshëm dhe shumë i azhornuar.
“Shoh shumicën e ndeshjeve, pasi luajta 9 vite aty dhe jam shumë i lidhur me Italinë. Madje, Seria A më ka mbetur në zemër”, bën hyrjen e tij për “Gazzetta dello Sport” organizatori boshnjak.
Atëherë Miralem, do të thotë që e keni ndjekur edhe Frozinone-Juve…
Patjetër! Juventusi vazhdon që të tregojë soliditet dhe koherencë në mënyrën sesi i përballon ndeshjet, duke marrë edhe shumë pikë pozitiv. Jo më kot është e vetmja që po i qëndron Interit në trajektore.
Do të thoni që shihni një garë dyshe për titullin, edhe pse jemi vetëm në gjysmën e kampionatit?
Po, edhe pse Interi ka një ritëm aq të lartë, sa nuk mendoj se asnjë tjetër nuk mund të krahasohet me të. Shoh një duel Inter-Juve, sepse janë të vetmet që nuk po hedhin dëm pikë rrugës, ndërsa të tjerat po tregojnë shumë luhatje… Napoli ka dalë shumë shpejt jashtë rruge, ndërsa Milani po tregon shumë ulje-ngritje, ndonëse më pëlqen shumë si skuadër.
Alegri mendon se Interi është favorit, pasi ata janë ndërtuar për titullin. Ndërkohë, Marota dhe Inzagi përgjigjen se është Juvja favorite, pasi nuk luan kupat. Si qëndron e vërteta?
Interi është absolutisht favorite, sepse ka një grup lojtarësh shumë më të kompletuar sesa Juventusi dhe këtë e tregon edhe finalja e Ligës së Kampioneve, në sezonin e kaluar. Kështu që është normale që zikaltrit të jenë në avantazh dhe të gjerë madje. Ndërkohë, Juvja ka nisur një cikël për të pasur një të ardhme të ndritur, duke u bazuar te shumë lojtarë të rinj, edhe pse në Torino e dinë mirë se kush vesh atë bluzë, është i detyruar të luftojë për titullin. Ndaj, nëse Interi ka 2-3 vite që edhe në merkato bën goditje fantastike, zikaltrit të bëjnë kujdes, pasi Juventusi nuk vdes kurrë!
Juventusi është thuajse i njëjti i sezonit të kaluar, por ndryshojnë vetëm rezultatet, në përmirësim e sipër. Pse kjo?
Sepse tashmë kanë më shumë qetësi, pas gjithçkaje ndodhi sezonin e kaluara. Alegri kërkon të fluturojë ulët për të hedhur bazat e fortë të së ardhmes, sepse e vërteta është që nuk është asnjëherë e lehtë të fitosh, ndonëse unë dhe Juventusi e kemi bërë shpesh që të duket diçka banale.
Alegri këmbëngul se objektivi është vendi i katërt?
E bën sepse është i ndërgjegjshëm që Interi ka më shumë garanci, por kjo nuk do të thotë se ai nuk do të luftojë deri në fund. Përkundrazi, do e synojë titullin deri në minutën e fundit, sepse ka pak trajnerë që dinë të komunikojnë dhe të të stimulojnë si Alegri.
Çfarë e bën Alegrin kaq special në sytë tuaj?
Jo vetëm për mua, por për 90 për qind që ai ka stërvitur. Krijon menjëherë një sintoni të bukur, di të krikojë grup dhe të menaxhojë njerëz e situata të vështira. Pastaj ka pak, shumë pak që dinë të të garantojnë cilësi, duke mos kërkuar asgjë të ekzagjeruar në merkato, por përshtatet me çfarë të ketë. Pastaj, nëse gjen lojtarë si kisha unë në Juven time, Higuain, Dibala, Manxukiç, Kuadrado e keni parë se çfarë di të bëjë.
Ndërkohë, të shtunën luhet Juventus-Roma, ndeshja juaj. Çfarë prisni?
Kur isha në Romë ishte shumë e vështirë që të luaje në Torino, por këtë herë Roma vjen nga një fitore me shumë peshë ndaj Napolit, edhe pse Murinjo kishte shumë mungesa. Edhe Zhoze si Alegri është i madh, di të shpikë gjëra të jashtëzakonshme, ndaj do të kemi surpriza. Nuk po them spektakël, por surpriza… Një ndeshje taktike, me pak gola…
Vlahoviç-Kieza nga një anë, Dibala-Lukaku nga ana tjetër. Cila nga këto dyshe sulmuese është më e forta?
E vështirë të zgjedhësh, pasi talent ka me shumicë nga të dyja krahët. Por dyshja e Romës ka më shumë eksperiencë dhe fatkeqësisht skuadra është shumë e varur nga ata të dy. Ndërsa te Juvja kjo nuk ndodh, edhe pse të bësh pa një si Kieza rëndon shumë. Kur Federiko është në formë nuk ka trajner që e lë jashtë, pasi shpërthimet e tij janë ato që bëjnë dhe mund të bëjnë diferencën te Juventusi ndaj Romës.