Tjetër fitore për KF Shirokën dhe ajo ngjitet në këtë mënyrë në kuotën e 9 pikëve duke mbajtur vendin e dytë në renditje. Pasditen e sotme, skuadra e drejtuar nga Matias Tatangelo ka fituar me rezultatin e ngushtë 1-0 ndaj Naftëtarit.
Takimi i luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” është vendosur nga goli i shënuar nga mesfushori Elidon Dulaj në pjesën e parë, pikërisht në minutën e 36-të. Megjithatë ka qenë një gol shumë i vlefshëm sepse i ka dhënë tre pikë ekipit shkodran.
Duhet thënë se të 90 minutat e kësaj ndeshje janë dominuar nga vendasit, të cilët kanë patur disa raste shënimi, por ato nuk janë konkretizuar dhe si rrjedhojë e gjithë kjo përballje është mbyllur me vetëm një gol të shënuar.
Megjithatë ai ka rezultuar shumë i vlefshëm sepse i dha fitoren KF Shirokës. Trajneri Tatangelo në intervistat e tij është shprehur se synimi është qëndrimi në kategorinë e dytë, por këto katër javët e para të kampionatit po tregojnë tjetër gjë dhe me shumë meritë ajo ndodhet në vendin e dytë të renditjes.
Javën e ardhshme KF Shiroka do të luajë një tjetër “derbi”, këtë herë në Bushat ndaj ekipit të Basanias, ndeshje që sigurisht do të kërkojnë ta fitojë për të ruajtur pozitat e saj në renditje.(www.shkodrasport.com)







