Sulmuesi me origjine nga Malesia e Madhe Armando Broja është një nga talentet shqiptarë, që po shkëlqen më shumë në Europë. Sulmuesi këtë sezon po tregohet shumë vendimtar për të rinjtë e Çelsit, duke shënuar dhe asistuar vazhdimisht.

Paraqitjet e tij pozitive kanë bindur edhe trajnerin e londinezëve, Frenk Lampard për ta grumbulluar në ndeshjen e sotme kundër Evertonit, në llogari të javës së 29 të Premier Ligës.

Momenti që do e mbajë mend gjatë gjithë jetës ka ardhur në minutën e 86, kur trajneri vendos ta hedhë talentin e kombëtares sonë në fushë në vend të Oliver Zhiru.

Ka duartrokitje për sulmuesin francez, por edhe brohoritma për talentin tonë, ndërkohë që ai vrapon për herë të parë në një ndeshje zyrtare në “Stamford Bridge” për skuadrën e parë të Çelsit.

Momente të çmuara për të dhe të gjithë shqiptarët, që po shohin teksa rritet një talent i madh, që do na gëzojë teksa shënon gola me kombëtaren kuqezi. Ndërkohë, ndeshja ka përfunduar me rezultatin e thellë të Çelsit, që shkatërron 4-0 Evertonin e Karlo Ançelotit. /vipsport/