Një tjetër inisiativë për t’u përgëzuar e njërës prej ikonave të futbollit shkodran dhe atij shqiptar, Hysen Zmijanit. Shefi i Zyrës Rajonale të Federatës Shqiptare të Futbollit në Shkodër në kuadrin e kupave të organizuara për të nderuar figura të ndryshme të futbollit, ka vendosur të nderojë këtë herë edhe dy emra të tjerë të shquar në vite.

Bëhet fjalë për Frederik Çapalikun dhe Ismet Hoxhën. I pari ka qenë kapiten dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të Vllaznisë së viteve ’60 në rolin e mbrojtësit të djathtë, ndërkohë që i dyti ka qenë një nga sulmuesit e spikatur të kësaj skuadre në vitet ’70.

Zmijani ka vendosur të organizojë kupat me emrin e këtyre dy figurave të njohura tashmë që ka mbaruar faza e dytë e kampionateve të moshave të Ligës Amatore në Zonën e Shkodrës dhe në to po marrin pjesë një numër i madh ekipesh.

Kupa “Frederik Çapaliku” ka nisur prej javës së kaluar dhe zhvillohet për grupmoshat U13 dhe U17 ndërkohë që kupa “Ismet Hoxha” po zhvillohet për grupmoshat U11 dhe U15.

Ndeshjet e këtyre kupave do të zgjasin disa ditë dhe në fund do të zhvillohen finalet e më pas edhe ceremonia përmbyllëse ku do të jenë prezent vetë këto figura të shquara të futbollit shkodran si Frederik Çapaliku dhe Ismet Hoxha për t’u dorëzuar kupat fituesve.
© shkodrasport.com