Kastrioti ka në gjirin e tij disa lojtarë të huaj, të cilët kanë bërë paraqitje të mira gjatë pjesës së kaluar të sezonit.

Një ndër ta është edhe braziliani i krutanëve Agnaldo Moraes. Mesfushori, i cili vetëm pak ditë më parë festoi ditëlindjen e tij të 27-të, flet për “Panorama Sport” mbi gjendjen aktuale të skuadrës, ndeshjen e radhës dhe pritshmëritë për pjesën e mbetur të sezonit.

Një pikë ndaj Teutës, të kënaqur?

Mendoj se të dyja skuadrat mund ta fitonin ndeshjen, kemi shkuar me mentalitetin për ta fituar ndeshjen. Të dyja skuadrat kishim raste dhe nuk është e lehtë të luash ndaj tyre, aq më tepër jashtë fushe. Shkuam për 3 pikë, morëm vetëm 1, po edhe kjo mendoj se është gjë e mirë për ne.

Tjetër sfidë e vështirë, prisni Vllazninë. E vështirë?

Edhe kjo ndeshje me Vllazninë do të jetë si çdo ndeshje tjetër. Do të futemi në fushë për të marrë 3 pikët, por edhe nëse nuk marrim 3 pikë, minimumi duhet të marrim një. Gjithsesi, ne do të futemi për maksimumin, ata janë një skuadër shumë e mirë, por po kalojnë një situatë të vështirë. Do të jetë një ndeshje e luftuar dhe mendoj se do ta fitojë ai që është më i përqendruar dhe shpresoj që fituesit të jemi ne.


Në fushën tuaj dhe një kundërshtar që nuk fiton prej javësh, ju favorizon ky fakt?

Të luash në shtëpi është gjithmonë mirë, por pavarësisht situatës së tyre, ata janë një ekip shumë i mirë që po lufton për titull. Thjesht po kalojnë këtë minikrizën që e kalon çdo ekip dhe nuk do të thotë se do të jetë e thjeshtë për ne. Ata i kanë kaluar këto ndeshjet e fundit me humbje e barazime dhe këto gjëra i ka futbolli, ku gjithçka mund të ndodhë, por unë shpresoj që kjo krizë e tyre të vazhdojë edhe me ne dhe të rikuperojnë dikur tjetër. Ne duhet të bëjmë ndeshje të mira siç kemi bërë përherë për të pasur sukses.

Qetësi nga distanca me Bylisin?

Për mua 7 pikë nuk janë asgjë, sepse ka akoma shumë ndeshje. Ndaj, ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë si më përpara, të fitojmë dhe të jemi sa më të përqendruar, sepse asnjëherë nuk i dihet çfarë ndodh. Thjesht duhet të ruajmë qetësinë, të futemi në fushë me përkushtim dhe çdo gjë do të shkojë mirë. Nuk duhet të mendojmë fare për ndeshjet e tyre, por të jemi të përqendruar vetëm te ndeshjet tona dhe të bëjmë mirë siç kemi bërë deri tani.

Çfarë e pengon Kastriotin për të shkuar më lart?

Të gjithë e dimë që ne duam të qëndrojmë në Superiore, por mundësia për të shkuar më lart qëndron. Janë akoma shumë pikë në lojë edhe normale që të gjithë duam të shkojmë në Europë, por kjo do të varet nga mentaliteti që do të kemi. Gjithsesi, gjëja kryesore do të jetë qëndrimi. Kur ta sigurojmë Superioren, do të shohim se çfarë do të ndodhë për më lart. Për mendimin tim, ne mund të luftojmë edhe për më lart, pasi kemi një skuadër të mirë.

Personalisht, si ka qenë kjo periudhë e kampionatit dhe çfarë pritni në vazhdim?

Mendoj se jam rritur shumë në nivelin e lojës po ta krahasosh me fillimin, pasi kam pasur dëmtime dhe s’më kanë lejuar të jem në maksimum. Tani ndihem shumë mirë dhe po rritem nga ndeshja në ndeshje. Nuk mendoj për të ardhmen, gjëja më e rëndësishme për momentin për mua janë këto 12 ndeshje që kanë mbetur, dua të luaj në të gjitha dhe të bëj shumë mirë. Kjo është më e rëndësishmja dhe kjo është gjëja e vetme që kam në mendje.