Laçi-Dinamo ishte një ndeshje plot emocione e cila pati edhe episodet e veta. Takimi gjykohej nga kryesori Florjan Lata. Goli i shpejtë i dha një ritëm tjetër takimit dhe e rriti disi tensionin.
Episodi i parë do të vijë në minutën e 53-të kur Imami ndërhyn gabimisht ndaj Guindos, por për kryesorin është e rregullt. Nga pamjet duket se ndërhyrja e Imamit është në kohë vonesë. Mungon një penallti për Laçin.
Ndërkohë, episodi i dytë për moviolë është ai i minutës së 85-të, kur kryesori akordon penallti për Laçin. Sipas Latës, Rexhinaldo ka shkaktuar faull ndaj Julian Shehut, pamjet tregojnë një ndërhyrje shumë të lehtë të Rexhinaldos ndaj Shehut, dhe këtu mund të themi që është përdorur teoria e kompensimit.
Rasti tjetër që ha diskutim është ai i ekzekutimit të penalltisë. Erërat e forta nuk lejonin që topi të qëndronte i palëvizur te pika e bardhë, kështu që në momentin e goditjes topi lëvizi disi dhe këtu lojtarët e Dinamos protestuan që penalltia të goditej edhe njëherë, por Lata nuk ishte i këtij mendimi.