Shumë zhurmë dhe polemika, sidomos në kampin ballshiot pas ndeshjes Bylis- Vllaznia teksa vendasit janë shprehur qartë dhe madje edhe ashpër në media kundërve njerëzve të fushës së arbitrimit për njëanshmëri ndaj tyre. Por në fakt nuk mendon kështu ish- arbitri i njohur i FIFA-s Lorenc Jemimi.
Me moviolën e tij në “Procesi Sportiv” ai ka hedhur poshtë të gjithë pretendimet e drejtuesve të Bylisit duke thënë se arbitrimi në këtë ndeshje ka qenë korrekt dhe nuk ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes.
“Të ndalemi tek rasti i parë, goli i anulluar për Vllazninë. Një vendim mëse i drejtë sepse vija e VAR-it e tregon qartë se Balaj është më përpara se mbrojtësi i Bylisit, ndonëse ai nuk e ka prekur topin por ka ndikuar në aksion dhe si rrjedhojë vendimi për ta anulluar këtë gol është mëse i rregullt.
Të vazhdojmë me penalltinë në favorin e Bylisit. Arbitri e dha, por e ktheu VAR-i dhe mirë bëri që e ktheu se është shumë e lehtë për ta dhënë penallti këtë rast.
Rasti më i diskutueshëm ka qenë ai i golit të anulluar për Bylisin në minutat shtesë të ndeshjes. Këtu nuk diskutohet që ka faull në favor të lojtarit të Vllaznisë, është faull i pastër dhe madje edhe karton i verdhë për lojtarin e Bylisit.
Gabimi i arbitrit këtu është që nuk e ka dhënë faullin në fushë sepse kemi goditje me bërryl në fytyrë dhe sinjalizimi i VAR-it për ta anulluar është mëse i rregullt. Me këto tre raste, çfarë i ka bërë arbitri Bylisit në mënyrë që presidenti të dalë dhe të flasë aq ashpër”- është shprehur Jemini.(www.shkodrasport.com)