Orlando Kuka ishte kryesor në ndeshjen Vllaznia-Egnatia, ndërsa Eldorian Hamiti dhe Dojando Myftari ishin në dhomën VAR. Dy ishin rastet për moviolë, ku në fund Vllaznisë iu mohua një penallti.

MINUTA 14 – Gjyqtari ndëshkon Maganin për simulim. Arbitri ka gabuar në këtë rast, pasi duket qartë që Adili, pasi largon topin, ka edhe kontakt me sulmuesin, kështu që e verdha nuk duhej dhënë.

MINUTA 90+3 – Çoba në tentativë për të goditur topin në zonë me një gjysmëkthesë, bie në fushë. Shkak u bë tërheqja nga bluza që i bëri mbrojtësi Kacbufi.

Arbitri Kuka vazhdoi lojën, por e habitshme është se rasti nuk u shqyrtua as nga VAR-i, që minimumi duhet të thërriste gjyqtarin kryesor që të shikonte rastin në monitor.

Pamjet tregojnë qartë tërheqjen me dorë të bluzës së Çobës nga Kacbufi. Vendim i gabuar dhe penallti e mohuar për Vllazninë.