Në morinë e emrave të shquar të boksierëve shkodranë në vite, padyshim që nuk mund të mungonte edhe Sead Bushati. Për më tepër që prej vitesh ai tashmë kryen edhe detyrën e trajnerit ku ka po aq sukses.

Sead Bushati ka lindur në Shkodër më 17 maj 1979 dhe me boksin nis të merret herët. Nis të spikasë me paraqitjet e tij në peshat e rënda dhe për rrjedhojë do të vinin edhe sukseset e njëpasnjëshme.

Shpallet fillimisht kampion me të rinjtë në vitin 1995 dhe 1996 dhe njëkohësisht merr edhe titullin e boksierit më të mirë të kampionatit. Kalon me të rriturit e Vllaznisë ku dhe nuk do të mungojnë sukseset. Si sportist është shpallur 8 herë kampion i vendit.

Hera e parë që ka varur medaljen e kampionit në qafë ka qenë viti 1999, për të vazhduar me titujt e viteve 2001, 2002, 2003, 2005, 2006, 2007 dhe 2008, duke konkurruar në peshat e rënda.

Ka zhvilluar 44 ndeshje ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit duke u nderuar me medalje e trofe. Trajnerë të tij kanë qenë shyqyri Halili, Fadil Efovia, Kujtim Demi, Zef Gjoni, Viktor Martini e Tonin Dema tek Vllaznia, ndërkohë që pas kalimit në Tiranë, trajnerë do të kishte Hamdi Ukën dhe Skënder Kurtin.

Pas përfundimit të studimeve të larta në Akademinë e Sporteve në Tiranë, ka nisur punën si pedagog aty, punë që vazhdon ta bëjë sërish.
Ndërkohë nga viti 2008 kur la sportin e më pas, ka nisur edhe punën e trajnerit. Drejton ekipin e Tiranës dhe nga duart e tij kanë dalë sportistë shumë të talentuar që prej vitesh janë shpallur kampionë kombëtar.

“Qershia mbi tortë” për Sead Bushatin si trajner ka qenë puna me Jurgen Uldedajn, boksier ky që vetëm pak kohë më parë u shpall kampion bote për 23 vjeçarë dhe padyshim që një meritë të jashtëzakonshme ka edhe ai si trajner për punën që ka bërë me këtë sportist për vite me rradhë.
Gjergj KOLA