Barazimi 2-2 nuk ka kënaqur as Vllazninë dhe as Bylisin por jo vetëm rezultati. Edhe arbitrimi i ka lënë të zhgënjyer futbollistët dhe drejtuesit e të dy ekipeve që kanë patur kontestimet e tyre. Ballshiotë për kryesorin Xhaja ndërsa shkodranët për të dhe dy asistentët, por sidomos për Rexhën.

Në lidhje me këto gabime, ish- arbitri i njohur Lorenc Jemini ka bërë edhe moviolën e kësaj ndeshje duke u ndalur në fakt vetëm tek dy momente, kur mund të ishte ndalur edhe tek momenti i golit të dytë të Bylisit që ishte faull në favor të lojtarit të Vllaznisë, apo dhe ndonjë tjetër.

“Ka patur dy momente ku mendoj se arbitri ka gabuar. Të ndalemi tek i pari, ai i dhënies së 11-metërshit për Bylisin.
Kur e pashë gjatë lojës, mendova se ishte penallti ajo për Bylisin, por kur pashë shpejtësinë me të cilën u largua nga lojtari i Vllaznisë, dyshova.

E riktheva ta shihja dhe konstatova se topi nuk ka prekur dorën por kokën e tij. Pra nuk është penallti. Por mendoni, arbitri është prapa dhe është gënjyer nga kjo gjë.

Ajo që s’i falet arbitri është gafa që bëri tek goli i anulluar i Bylisit. Ky është një gabim që nuk i falet atij dhe që nuk bëhet as tek U9 dhe jo më në një ndeshje të Kategorisë Superiore.

Janë katër arbitra në këtë ndeshje. Kryesori edhe mund të mos e ketë parë, por këtu duhet të ndërhyjë asistenti, arbitri i katërt. Nuk duhet të ikë ky rast dhe të bëhet një gabim i tillë”- ka thene Jemini.