Vllaznia-Tirana ishte një nga supersfidat e kësaj jave të Kategorisë Superiore. Ndeshja e luajtur në “Loro Boriçi”, u mbyll me rezultatin 1-2 në favor të bardhebluve.
I ftuar në emisionin “Rubrika Sportive”, Shkëlqim Muça ka analizuar këtë ndeshje duke u shprehur se Vllaznia ka probleme fizike.
Sipas tij, shkodranët duhet ta kishin markuar më mirë sulmuesin e bardhebluve Taulant Seferin, i cili ishte rreziku kryesor në portën e shkodranëve. Ai theksoi se shkodranët kanë probleme në prapavijë dhe janë të tronditur psikologjikisht.
“Ishte një avantazh që duhej ta administronte. Ai goli i shpejtë i barazimit i tronditi. Ishte gabim fatal i protierit, Tirana e meritoi fitoren. Vllaznia është e tronditur. Disa lojtarë që i zëvendësojnë me të tjerë dhe këta nuk janë në ritmin e duhur.
Ka shumë probleme në mbrojtje. Lë shumë hapësira kur është disavantazh. Është gabim kur zëvendësojnë Krymin, sepse ekipi çekuilibrohet. Krymi e mban ekuilibrin mes mbrojtësve të qendrës. Kur del Krymi, bëhet gropë e madhe.
Tirana ka sulmues të shpejtë si Seferi që e kapi mbrojtjen e Vllaznisë, 2-3 herë në befasi. Tirana bëri ndeshje inteligjente, shfrytëzoi mirë hapësirën. Vllaznia duhej ta interpretonte më mirë ndeshjen, sepse Tirana është e fortë në sulm me Seferin.
Duhej ta kishte përgatitur më mirë ndeshjen për ta markuar këtë lojtar. Nuk më pëlqen ta quaj Vllazninë të shpartalluar. Është një moment i vështirë. Prapë mendoj se është përpara. I ka mundësitë të administrojë rezultatin më mirë”, u shpreh Muça.