Për të ardhur keq që interesimi ka qenë thuajse zero për këtë ndeshje nga ana e tifozëve për ta parë në stadium. Numri i tyre nuk arrinte madje as deri te 100 të pranishëm. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes së luajtur në “Elbasan Arena”.

* Vëzhguesi i arbitrave, Sokol Çekaj, kishte ardhur i pajisur mirë për këtë ndeshje, teksa kishte me vete edhe një “Ipad”, ku shihte ndeshjen “live” nga tribuna e gazetarëve. Për çdo rast të dyshimtë kishte mundësinë ta rishihte.

* Dy ditë më parë AF Elbasani ngriti trofeun e kampiones së Kategorisë së Dytë në Grupin B. Ende kishin mbetur disa dekore nga festa në tapetin e fushës.

* Zakonisht skuadra pritëse qëndron në pankinën në krah të majtë kur hyn në fushë dhe pranë anësorit të parë është pankina mike. Mirëpo, për këtë ndeshje ky rregull u prish, me skuadrat që u ulën në pankinën tjetër.

* Trajneri i Kastriotit, Emiljano Çela, “tërbohet” me një faull të padhënë në favor të skuadrës së tij, duke hakërryer. “Hë mo se është turp, 10 javë e njëjta situatë me ju”, ia behu trajneri.

* Portieri i Vllaznisë, Bojan Zogoviç, tërbon tifozët e Kastriotit me vonesat nga rivënia fundore, me këta të fundit që i kërkojnë Jorgjit ta ndëshkojë me karton.

* Në fund të ndeshjes lojtarë të të dyja ekipeve shtrihen në tokë të dëshpëruar, sepse një pikë nuk i bën punë asnjërës në situatën ku ndodhen.

* Shumë i pafat sulmuesi i Kastriotit, Spartak Ajazi, i cili u aktivizua si zëvendësues në minutën e 62-të, ndërsa në fushë qëndroi vetëm 9 minuta. Ajazi dëmtoi rëndë krahun e djathtë, duke mbyllur kësisoj sezonin para kohe, pasi koha për riaftësim është e gjatë.

* Për të vëzhguar Kastrioti-Vllaznia, në “Elbasan Arena” ishte edhe trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, bashkë me zyrtarin e klubit blu, Ermal Barushi. Mesa duket, Dinamo kërkon të afrojë lojtarë nga të dyja ekipet.