Tashmë kampionati shqiptar i futbollit ka hyrë në gjysmën e dytë të tij. Të gjitha skuadrat pi mundohen që të përforcohen në këtë periudhë për të pasur një performancë sa më të mirë dhe të arrijnë të plotësojnë objektivat. Interesante duket gara për titullin kampion ku mund të thuhet se janë 4 skuadra që pretendojnë.
Kështu dy javët e ardhshme që mbyllin edhe gjysmën e parë të kampionatit do jenë përcaktuese në këtë garë. Skuadra që në letër është më e favorizuara në këto dy ndeshje të rradhës është ajo e Vllaznisë. Kjo pasi kuqeblutë do ndeshen me dy skuadrat e fundit të tabelës fillimisht me Egnatian e më pas me Kastriotin.
Kalendar disi më i komplikuar për kryesuesit e Tiranës. Bardheblutë do kenë këtë javë derbin me Dinamon që është përforcuar goxha në merkaton e janarit dhe do e mbylli fazën me një ndeshje “zjarri” kundër Kukësit.
Kuksianët nga ana e tyre përveç ndeshjes me Tiranën do jenë edhe përballë Skënderbeut. Një kundërshtar që i mori 3 pikët në ndeshjen e fazës së parë me fitoren 2-1.
Laçi po ashtu do ketë përballje “ferri”. Teuta në transfertë dhe Partizani në shtëpi do jenë dy ndeshjet e rradhës së kurbinasve. Dy përballje ku asgjë nuk mund të parashikohet.
Këto mund të jenë dy raunde ku Vllaznia mund të përfitojë. Patjetër duke mos nënvlerësuar në asnjë moment përballjet e veta pavarësisht kundërshtarëve që do kenë përballë.
Endri ÇINARI