Vllaznia në javën e 17-të të Superligës do ketë përballë ekipin e Egnatias. Sfidë që do zhvillohet në Shkodër, ditën e premte në orën 16:45, në stadiumin “Loro Boriçi”.

Një ndeshje ku për kuqeblutë lind si detyrim vetëm fitorja, kjo edhe për tu afruar sa më shumë me kreun, por edhe sepse luan përpara tifozerisë së saj dhe diferencat mes skuadrave dihen.

Por ekipi i Brdariç vjen në këtë ndeshje me një mungesë të rëndësishme siç është ajo e Liridon Latifit. Sulmuesi që shënoi në ndeshjen e parë në barazimin 1-1 kundër Egnatias nuk do jetë i gatshëm për këtë sfidë. Kjo për shkak se ka plotësuar numrin e kartonave dhe kështu automatikisht është i pezulluar.

Për zëvendësuesin e prishtinasit duket se ka disa kandidatë. Kështu në krahun e majtë ku Latifi aktivizohet zakonisht janë opsionet Hoxhaj dhe Çoba për të qenë titullarë. Por nëse do ketë një spostim të Da Silvas në krah, hapet vend për pozicionin pas sulmuesit. Pozicion për të cilin mund të ketë një “duel” mes Djurdjevic dhe Mustedanagic.

Pra 4 futbollsitë të gatshëm për të zëvendësuar Latifin. Mbetet për tu parë se çfarë skeme do përdori Brdariç në përballjen me Egnatian. Kjo pasi mund të ketë edhe ndonjë surprizë nga gjermani i cili gjithsesi rrallë herë lëkundet në zgjedhjet e tij.

Endri ÇINARI