Lista e dëshirave të merkatos së Vllaznisë ka mbetur ende vetëm një… listë dëshirash. Drejtuesit e klubit shkodran kanë folur ditët e fundit në qarqe të ngushta edhe për akorde me futbollistë të ndryshëm, por fakt është që nuk ka pasur asnjë zyrtarizim deri më tani, përveç Grudës, Salës dhe Dodev.

Faqja e klubit kuqeblu ka mbetur vetëm tek largimet në njoftimet zyrtare për futbollistët që u larguan. Në fakt, presidenti Alban Xhaferi dhe bashkëpunëtorët e tij e kanë marrë punën shtruar, por ajo që nuk pret shumë është merkatoja në hyrje, sepse sa më shumë kohë kalon, aq më e vështirë bëhet të gjesh futbollistë me kualitet, sidomos për disa role specifike. Në klubin kuqeblu nuk duan të nxitohen edhe për shkak të precedentit të viteve më parë, ku dështuan në ndërtimin e skuadrës.

Megjithatë, momentalisht reparti më problematik është mbrojtja, e cila është shumë e rëndësishme për një skuadër futbolli dhe kjo dihet nga të gjithë. Kuqeblutë, për më tepër e dinë shumë mirë, sepse kanë vuajtur jo pak në këtë sektor vitet e fundit. Edhe në këtë moment, ata po përpiqen të afrojnë futbollistët e nevojshëm për qendrën, por “gropa” vazhdon të jetë e hapuar.

Problemi mbetet ndoshta te Vllaznia dhe te drejtuesit e saj, me disa çështje që nuk po zgjidhen përfundimisht. Minimumi, skuadra shkodrane ka nevojë për të paktën dy përforcime në qendrën e mbrojtjes. Megjithatë, mbetet për t’u parë në vazhdim nëse do të ketë lëvizje, me mbrojtjen që është kthyer në një “gropë” të madhe te Vllaznia.
Maringlen ZHIVANI