Ligji i ri i sportit detyron të gjitha bashkitë e vendit që të shesin aksionet që zotërojnë në klubet sportive.
Kukësi është ndër ato bashki që ka nisur punën për të hequr dorë nga 12.5 për qind të aksioneve që zotëron në klubin e futbollit të Kukësit.
Mirëpo, edhe pse për këtë arsye u hap një garë për të gjithë të interesuarit, duke lënë si afat datën 4 prill, deri më tani nuk është paraqitur asnjë investitor për t’i blerë këto aksione, të cilat vlerësohen paraprakisht me 65 milionë lekë të vjetër.
Duhet thënë se pjesën tjetër, maxhorancën prej 87.5 për qind të aksioneve, i zotëron Lavdrim Gjici, vëllai i kryebashkiakut aktual të Kukësit, Safet Gjici.
Tani do të pritet faza e dytë, me shpresën se ndonjë biznesmen do të shfaqë interes për t’i blerë ato.
Nëse nuk ka sërish interes, atëherë sipas ligjit për ankandin, çmimi fillestar i shitjes së aksioneve duhet të zbresë me 20%. Në këto kushte do të shkonte për në 52 milionë lekë të vjetër.