Prej disa javësh Rei Manaj është në merkato dhe emri i tij figuron në listën e futbollistëve, që duhet të largohen nga Barcelona.

Por, tregolëshi i tij kundër Xhimastik de Tarragona në miqësoren e parë sezonale të katalanasve e ka vendosur në një vend preferencial.

Sulmuesi u hakmor në njëfarë mënyre me festën e tij pas golave të shënuar në “Johan Krojf”, ku mori duartrokitjet dhe ngriti në këmbë tifozët e Barcelonës. Karakteri i tij rebel dhe luftarak doli në pah gjatë kësaj sfide.
Rei Manaj mund të quhet sulmuesi i çudirave, pasi në çdo skuadër që ka qenë ka shënuar gol, por gjithmonë për të ka pikëpyetje.

Te Barcelona kurrë nuk ia dhanë shansin që të debutonte me ekipin A, por tani duket tepër vonë… Ka shënuar shpesh, por nuk ka bërë rrugë të gjatë në karrierën e tij.

Me Kombëtaren shqiptare debutoi që në moshën 18-vjeçare dhe tani që është 24 ka ndryshuar 7 klube të ndryshme në futbollin profesional.

ITALIA – Për Rei Manajn rrugëtimi sportiv nisi në Itali. Pasi ishte në kategoritë inferiore të Sampdorias, u transferua te Kremoneze në Serinë C dhe vetëm një vit më vonë (2015) tërhoqi vëmendjen e Interit.

Me zikaltrit luajti 9 ndeshje në skuadrën e parë dhe më shumë aktivizohej te të rinjtë, por Manaj donte minuta dhe nisi një fazë huazimi fillimisht te Peskara e pastaj te Piza.

Në sezonin 2017- 2018 u transferua në Spanjë, si i huazuar te Granada dhe mandej tek Albasete. Aty u përshtat mirë në Segunda Divizion duke luajtur 37 ndeshje, ku shënoi 9 gola.

Ishte në hijen e Zuzuljas, por kjo nuk e pengoi Barcelonën që t’i besonte gjatë merkatos së janarit në vitin 2020. Ai firmosi për ekipin e moshave për 700 mijë euro dhe 2 milionë të tjera në formë bonusesh.

Kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2023 dhe klauzolën e largimit e ka 50 milionë euro. Ai u bë shqiptari i parë që u grumbullua me skuadrën A të Barcelonës (Setien e mori në shkurtin e vitit 2020 kundër Getafes), por vendi i tij gjithmonë ka qenë te Barcelona B.

Me këta të fundit ka një mesatare mjaft pozitive, 1 gol çdo 2 ndeshje. Është një sulmues goli, i fortë dhe luftëtar, edhe pse kurrë nuk është konsideruar si lojtar i skuadrës së parë. Për më tepër, Barcelona B ka transferuar Zhordi Eskobarin.

A është zëvendësuesi i tij? Për momentin nuk mund të themi asgjë, sepse ai e tregoi përpara syve të Laportës dhe të Kumanit se është një lojtar i aftë. Megjithatë, shumë skuadra janë vënë pas tij dhe po e vëzhgojnë nga afër situatën e sulmuesit shqiptar.