Nga Endri ÇINARI
Një mungesë e sigurt për Vllazninë në ndeshjen ndaj Bylis në kuadër të javës së 7-të të Superiores është Elmando Gjini. Mbrojtësi shtatlartë nuk do jetë në dispozicion të trajnerit Martini, kjo për shkak se 23-vjeçari ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.
Dhe kësisoj do mungojë në duelin e rradhës ndaj mallakastriotëve, ku patjetër për kuqeblutë kjo është një mungesë shumë e rëndësishme pasi në lojë nuk do jetë ai që mund të konsiderohet si lideri i prapavijës shkodrane.
Në këtë mënyrë gjatë këtyre ditëve duhet gjendur edhe zëvendësuesi i ish-mbrojtësit të Teutës. Ku momentalisht më i favorizuari për të marrë “vendin” e Gjinit është Ardit Krymi. Me mesfushorin që do “transferohet” në qendër të mbrojtjes, një pozicion të cilin e ka mbuluar më së miri edhe herë të tjera në të shkuarën. E ndërsa në mesfushë pritet që vendin dhe poziconin e Krymit ta mbulojë Kristian Dros. Por, tek Vllaznia ka edhe alternativa të tjera përsa i përket zëvendësimit të Gjinit.
Fjala është për mbrojtësit Aleksander Kuros dhe Jasmin Çelikoviç. Pavarësisht se për të parin duhet shikuar në detaje për gjendjen e tij fizike, e cila nuk garanton ende. E ndërsa për boshnjakun e ardhur para 2 javësh në Shkodër, duket se periudha e përshtatjes ka kaluar.
Dhe ai mund të ketë minutat e tij të para me fanellë kuqeblu në ndeshjen ndaj Bylis. Megjithatë formacioni i shkodranëve do “kristalizohet” gjatë këtyre ditëve për duelin e javës së 7-të që do luhet të shtunën në orën 14:00.(www.shkodrasport.com)