Laçi u jep fund sot përgatitjeve intensive në Pogradec dhe skuadra do të kthehet në kryeqytet për të hyrë në javën ku do të mendohet vetëm për ndeshjen e parë të turit të parë të Ligës së Konferencës, ku më 7 korrik, ora 20:00, në “Elbasan Arena” presin malazezët e Iskras.
Kurbinasit ndihen gati për startin e aventurës europiane, gjë të cilën klubi e ka transmetuar edhe me anë të një postimi në faqen zyrtare në “Instagram”.
Fotoja ku pozonte i gjithë ekipi, lojtarët dhe stafi, ishte shoqëruar me diciturën: “Gati për gjëra të bukura”. Kjo tregon se kurbinasit janë gati për të përsëritur sezonin e shkuar, ku arritën të shkojnë deri në turin e tretë të Ligës së Konferencës.
Por duke parë foton prezantuese të Laçit para ballafaqimit me malazezët e Iskras, binte në sy mosprania e golashënuesit më të mirë të sezonit të shkuar, Saliu Guindo.
“Panorama Sport” u interesua për të mësuar mungesën e sulmuesit, por nuk ka gjë për t’u alarmuar. Gazeta mësoi se Guindo ka udhëtuar para ca ditësh drejt Malit për të rinovuar pasaportën që i skadonte.
Sulmuesi e ka mbyllur me sukses këtë procedurë dhe sonte do të mbërrijë në kryeqytet dhe do të jetë gati për të mbajtur peshën e kurbinasve në Europë në fazën sulmuese.
Dëmtimi i Klinti Qatos në miqësoren me Gjilanin i ka prishur punë trajnerit Duro, gjithsesi kurbinasit kanë shpresë se do ta kalojnë me sukses Iskran.