Murgesha, por edhe tifoze. Në Itali është e njohur motër Paola, tifoze e thekur e Lacios, por edhe në Spanjë e kanë tifozen e tyre speciale. Quhet motër Luçia Karam dhe është shumë e apasionuar pas futbollit. Skuadra e zemrës? Barcelona dhe kjo do të thotë se shpesh ajo lëshon thumba për Realin e Madridit.

Motër Luçia jeton në Katalonjë dhe është një nga personat që lufton më fort për pavarësinë e këtij rajoni. Për këtë arsye ajo tashmë është edhe një figurë shumë e njohur mediatike. Ka madje edhe një profil zyrtar në rrjetet sociale, ku nuk lejon asnjëherë t’i ikë rasti për të thënë fjalën e saj. Mbi të gjitha kur flitet për futboll dhe për t’u tallur me Realin.

Një nga provokimet e fundit është ai për agjërimin, jo atë fetar, të skuadrës së Lopeteguit. “Përshëndetje të gjithëve! Dikush që merr vesh nga celularët mund të më ndihmojë. Ka 10 ditë që kam aktivizuar sinjalin në celular që do të më njoftojë kur të shënojë Reali. Por asgjë, nuk punon, nuk ka asnjë mënyrë që ta bëjë të funksionojë”, – shkruan motër Luçia në Tuiter.

Sigurisht, ky postim i saj është shndërruar menjëherë viral dhe ka marrë më shumë se 3 mijë “like”, por edhe ndonjë sharje fetare. Por me këtë të fundit ajo është mësuar, sepse nuk ka filluar tani t’i tallë madrilenët. Për shembull, pas humbjes së Realit me Alaveshin, në profolin e saj në Tuiter është publikuar një foto e Florentino Perezit në telefon. Bashkëbisedimi imagjinar ishte ky:

“Përshëndetje Federata Spanjolle! Doja t’u ktheja Lopeteguin. E kam edhe fletën e garancisë“. Në profilin e Motër Luçias shfaqen fotot si tifoze e Barcelonës, me fanellën blaugrana, një me Umtitin dhe të tjera në stadium. Por aktiviteti më i madh i saj është tallja e Realit. Kur Reali u ndesh me Juventusin në Champions sezonin e shkuar ajo postoi një foto të gjyqtarit të 4-t, që mbante në dorë tabelën e minutave shtesë, ku ishte shkruar: “deri sa të shënojë Reali”./Vipsport/