Në Europë duhet grintë dhe shpejtësi, por duhet edhe forcë me eksperiencë. Nëse Laçi nuk pësoi në këtë ndeshje delikate, kjo edhe falë Malotës dhe shokëve të tij që arritën t’u bënin ballë rumunëve.

“Ne e kishim vlerësuar maksimalisht ekipin e Krajovës, pasi dihet që kanë vlera të mëdha dhe lojtarë shumë cilësorë.

Por në asnjë moment nuk i mbivlerësuam dhe u futëm në fushë të barabartë. 11 lojtarë ata, po ashtu edhe ne. Ishte ndeshje pozitive, por na pret një ndeshje e vështirë para”, deklaroi lezhjani për “Panorama Sport” pas ndeshjes.

KUALIFIKIMI – “Nuk është e ndaluar të ëndërrosh, ne kemi treguar dhe më parë, personalisht kam qenë me Kukësin ku kemi kaluar nga dy-tre ture, pse të mos ëndërrojmë edhe tani. I kemi të gjitha mundësitë, kualitetet dhe grup mjaft të mirë.

Këto janë dhe ndeshje prestigji. Në radhë të parë është edhe kënaqësi personale, i ka të gjitha të mirat dhe ne do të mundohemi të marrim maksimumin edhe në ndeshjen e radhës.

Çelësi i suksesit është vetëm grupi, pasi ne jemi të gjithë për një dhe një për të gjithë, kjo është motoja jonë”, tha mbrojtësi 32-vjeçar.