rajneri i Mançester Junajtidit, Ralf Rangnik, e ka bërë të qartë në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Sauthemptonit se pret më shumë gola nga Kristiano Ronaldo.

Ndonëse erdhi me shumë bujë verën e kaluar nga Juventusi, portugezi ka vuajtur jo pak në pjesën e parë të sezonit te “Djajtë e kuq”. Ai duket larg pritshmërive dhe trajneri Rangnik nuk ka ngurruar ta vërë në dukje mungesën e golave të Ronaldos.

Por, tekniku i Junajtidit e ka zbutur deklaratën e tij, duke theksuar se goli është kthyer në një problem të përgjithshëm në ekipin e tij dhe jo vetëm për Kristianon. Junajtid do të presë sot Sauthemptonin e Brojës dhe “Djajtë e kuq” vijnë në këtë takim pas disa rezultatesh zhgënjyese.

Ata nuk kanë fituar asnjë nga dy takimet e fundit dhe kanë shfaqur probleme të mëdha para porte në përballjet kundër Midëllsbrout në Kupën e Mbretëreshës dhe përballë Bërnlejt në Premier. Ndërkaq, ylli i Mançesterit, Kristiano, nuk shënon prej pesë takimesh, diçka që nuk ndodhte që nga viti 2013.

“Kritikat nuk janë vetëm për Ronaldon, por për të gjithë skuadrën. Natyrisht që Ronaldo duhet të shënojë më shumë gola, kjo është e qartë. Ne nuk po vuajmë në krijimin e rasteve, por ajo që na mungon është saktësia para portës. Nuk po arrijmë të shënojmë mjaftueshëm krahasuar me rastet që po krijojmë.

Por, ky nuk është problem i vetëm një lojtari si Ronaldo. Ky është një problem i përgjithshëm i skuadrës. Ndaj duhet të përmirësohemi të gjithë para porte”, ka theksuar trajneri i Mançester Junajtidit, Ralf Rangnik.

Mungesa e golave është kthyer në një problem shqetësues te Mançester Junajtidi, që aktualisht mban vendin e gjashtë në renditje me 39 pikë.

Në këtë sezon në Premier, Mançesteri për momentin ka sulmin e pestë më të mirë në kampionat me 37 rrjeta. Nga pesë skuadrat që qëndrojnë mbi Junajtidin në renditje, “Djajtë e kuq” kanë shënuar më shumë vetëm se Arsenali, që gjendet i pozicionuar në vendin e pestë me pikë të barabarta me Mançesterin, por me golavarazh më të mirë, ndonëse ka shënuar vetëm 34 rrjeta.

Shterpësia e Mançesterit para porte është një sinjal jo i mirë edhe në kuadër të Ligës së Kampioneve ku në më pak se dy javë “Djajtë e kuq” do të përballen me Atletikon e Madridit.