Protagonist absolut i ndeshjes së Ligës së Kampioneve në Eindhoven, kundër PSV-së, ku shënoi një nga golat e Interit (tjetri, i Ikardit), Raxha Naingolan, mesfushori i zikaltërve, ka folur për mikrofonat e “Tuttosport”. Të shumtë temat e prekur nga belgu: prej largimit nga Roma te mosmarrëveshjet me trajnerin kombëtares Martinez, duke përfunduar me sfidën e ardhshme “europiane” kundër Barcelonës, e vlefshme për javën e tretë të kompeticionit.
ME ROMËN – Muajt e parë në Milano janë shënuar nga një dëmtim, prej të cilit “Ninxha” ende nuk është riaftësuar totalisht. “Fizikisht ndihem më mirë, – ka deklaruar megjithatë. – Nuk jam ende në formë optimale, por kërkoj t’i jap pak më shumë eksperiencë kësaj skuadre. A e kam pasur të vështirë të ambientohem pas viteve të kaluara te Roma? Për mua ka qenë e vështirë të largohem nga kryeqyteti, por situatat në futboll nuk varen gjithmonë nga lojtarët”. Një rrugëtim i suksesshëm, ai i zikaltërve në Ligën e Kampioneve, deri tani.
Por, tani vjen më e vështira, ajo me Barcelonën në Spanjë. Një kundërshtar që megjithatë, mesfushori, e eliminoi vitin e kaluar në çerekfinale kur mbante veshur fanellën verdhekuqe. “Vitin e kaluar me Romën treguam se mund t’i mposhtim. Dhe Interi mund të shkojë në Spanjë me qetësi maksimale sepse për kualifikimin do mjaftojë të mposhtim PSV-në dhe të bëjmë diçka speciale në Londër”.
Në fund, Naingolan ka prekur temën e përfaqësueses: trajneri Roberto Martinez e ka lënë jashtë, tani “Ninxha” ka hequr dorë dhe jo vetëm për sa kohë ky i fundit do qëndrojë në krye.
“Kombëtarja? Jam larguar përfundimisht, por mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Nuk mund të vazhdoj gjithmonë të pres, tani kam mendjen më të çliruar”.