Filip Najdovki është i bindur që Tirana e tij do t’i fitojë të tre trofetë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, zëvendëskapiteni foli për sfidën me Kastriotin, atë të Superkupës, por edhe në sfidat në vazhdim deri në fund të sezonit. Najdovski e konsideroi Kastriotin si kundërshtarin më të vështirë të Tiranës në këto 2 vite e gjysmë.

Një ndeshje perfekte me Kastriotin dhe fitorja me Vllazninë në Superkupë. Tirana e ka nisur në mënyrë perfekte këtë pjesë të dytë të sezonit?

U kthyem në mënyrën të mirë pas pushimeve. Kemi arritur një fitore në kampionat dhe me Superkupën. Këto dy fitore kanë treguar se si e gjithë skuadra u duk e shkëlqyer në atë finale dhe në ndeshjen e kampionatit me Kastriotin. Jemi për momentin në gjendjen më të mirë. Kjo nisje është diçka pozitive për Tiranën.


Ka qenë një ndeshje e lehtë ndaj Kastriotit. Ju e mbyllët ndeshjen në pjesën e parë…

Në dy vite e gjysmë të miat në Tiranë, kundërshtari më i vështirë për ne ka qenë Kastrioti. Ky ekip, thjesht nuk i shkon për shtat Tiranës. Por në ndeshjen e fundit me një ekip të mirë, me plotësimin e të gjitha detyrave të stafit drejtues, e bëmë lojën të lehtë dhe fituam me meritë tri pikët. Jemi të kënaqur me fitoren që arritëm ndaj krutanëve.


Në çdo ndeshje jeni paraqitur shumë mirë. Edhe këtë sezon Najdovski duket në top-formë?

Gjithmonë përpiqem të jap maksimumin në çdo ndeshje të kampionatit. Ama futbolli është një sport ekipor, kur një ekip luan mirë, atëherë edhe individët duken të mrekullueshëm. Lojërat e mia të mira janë një meritë për shokët e mi të skuadrës. Unë vetëm nuk do të bëja dot asgjë në fushën e lojës pa të tjerët, sado që të luaja unë mirë.

Gjithsesi, Najdovski është një nga liderët e skuadrës. Zëvendëskapiten i ekipit bardheblu. Si ndiheni?

Kapitenët e çdo ekipi duhet të jenë liderë. Ismajlgeci dhe unë duhet të jemi të tillë, është obligimi ynë që të tregojmë veten në fushë, duke motivuar edhe lojtarët e tjerë.

Cila është skuadra më e mirë. Ajo e vjetshmja e titullit kampion apo ajo e sivjetshmja?

Do të doja t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje në fund të sezonit, kur të shihet rezultati i këtij sezoni. Atëherë mund të flasim se cili ekip është më i mirë.


Superkupa dhe Kastrioti tani janë histori e kaluar. Do të luani me Teutën një ndeshje të bezdisshme?

Të premten kemi një ndeshje me Teutën jashtë. Sigurisht që do të jetë një lojë e vështirë. Në skuadrën e Teutës u panë dallime me trajnerin e ri. Sigurisht që fitorja me kuksianët e ngriti skuadrën e tyre, por shpresoj që nga Durrësi të kthehemi me tri pikë. Ky është synimi ynë në këtë 90-minutësh.


Qëllimi besoj se është më shumë se një trepikësh në Durrës. Derbi është ndeshja që duhet fituar?

Ndeshja derbi është një sfidë e veçantë për t’u shijuar. Dhe shpresoj që seria pozitive e Tiranës të vazhdojë edhe në ndeshjen e fundit të këtij viti.

Deri ku mund të shkojë Tirana me këtë skuadër?

Sigurisht që ne si Tirana duam 3 trofe. Njërin e kemi fituar tashmë. Tirana është një klub që ka gjithmonë ambicie të larta. Dhe besoj se kemi forcën për t’i fituar të tre trofetë.