Riorganizimi i Vllaznisë për sezonin e ri futbollistik dhe më konkretisht, emërimi i trajnerit të ri Migen Memelli dhe zv/trajnerit, Ndriçim Shtubina, është në fokus të opinionit sportiv shkodran gjatë këtyre ditëve. Një gjë e tillë është diskutuar edhe mbrëmjen e djeshme në emisionin “Studio Sport” në ekranin e RTSH Shkodra.

Një nga të ftuarit në panel ishte edhe gazetari sportiv veteran, Namik Mehmeti. Ky i fundit u shpreh se hyrja në Kupat e Europës ka mbuluar shumë defekte në dukje të Vllaznisë, ndërsa theksoi se është befasuar krejtësisht me stafin e ri të kuqebluve dhe kryesisht me emërimin e trajnerit Migen Memelli.

“Në kampionatin e fundit, Vllaznia nuk kishte ekipin e para tre viteve me trajnerin Brdariç, që i udhëhoqi drejt Kupave të Europës. M’u duk si një ekip që vetëm donte të ishte pjesëmarrëse në kampionat, asgjë më tepër.

Hyrja në Kupat e Europës i ka mbuluar disa defiçite dhe disa diskutime. Kështu që, hapet një kapitull i ri për caktimin dhe funksionimit e stafit të ri.

Të them të drejtën, u befasova me stafin e ri të Vllaznisë, që në lajmin e parë që mora për Memellin. Ai mund të jetë një personalitet i futbollit shqiptar, mund të ketë kontribute, por Vllaznia dhe Shkodra kanë një peshë tjetër për një emër më të madh, më me vlera përfaqësimi në kampionatin kombëtar, në përfaqësimet ndërkombëtare.

Kështu që, stafi e ka menduar një gjë të tillë më mirë se sa mund ta gjykojmë ne, por Shkodra dhe Vllaznia them se duhet të kishte një guxim tjetër. Unë prisja me padurim që trajner i Vllaznisë të ishte Edi Martini, si një përfaqësues i madh i Shkodrës, një mbështetje e vërtetë e futbollit të Shkodrës, i cili ka një njohje të gjërë në futbollin shkodran.

Ka një përvojë që ka fituar në drejtimin e skuadrave, sidomos me ekipin e Teutës dhe vetë fakti që ky trajner guxon e merr Teutën duke dalë nga Superiorja, e nxjerr dhe e ngjit deri në vendin e pestë, në luftë deri në ndeshjen e fundit për të hyrë në Kupat e Europës. Pra, ishte një përfaqësim dinjitoz i futbollit nga ana e Martinit.

Megjithatë, unë dëshiroj që ky staf që ka marrë përsipër përcaktimin e Memellit dhe drejtuesve të tjerë të skuadrës, unë u uroj suksese”,-tha gjatë prononcimit të tij, gazetari sportiv Namik Mehmeti.
Maringlen ZHIVANI