Pep Guardioal e ka mbajtur premtimin që bëri kur mori drejtimin e Mançester Sitit, se do ta kthente këtë skuadër në një superfuqi europiane dhe për herë të parë, ka çuar klubin anglez në finalen e Ligës së Kampioneve. Skuadra angleze ia ka dalë duke triumfuar me meritë përballë PSG-së, të cilën e mundi në të dy ndeshjet.

Pas suksesit 2-1 në transfertë në sfidën e parë, Mançester Siti kreu me kujdes detyrën edhe në sfidën e kthimit, ku rrallëherë u vu në rrezik nga skuadra parisiene, që ndjente mungesën e Mbape të dëmtuar.

Siti përfitoi nga një pavëmendje për të kaluar në avantazh me Mahrez që në minutat e para të sfidës dhe më pas e kishte shumë të thjeshtë të menaxhonte sfidën dhe rezultatin, duke i lënë zotërimin e topit kundërshtarëve, por edhe duke mos i lejuar hapësira.

Një kundërsulm vdekjeprurës, i finalizuar përsëri nga Mahrez, bëri që ndeshja të merrte praktikisht fund dhe që parisienët të pajtoheshin me idenë që nuk do të ktheheshin përsëri në finale në këtë edicion. Megjithatë, disa prej tyre nuk mbajtën dot nervat në minutat e fundit dhe kjo solli edhe largimin e Di Marias me karton të kuq.

Gjithsesi, rezultati nuk ndryshoi dhe me vërshëllimën përfundimtare, lojtarët e Mançester Sitit filluan festën e merituar për kalimin në finale ku presin njërin mes Çelsit dhe Real Madrid.

Mançester Siti-PSG 2-0 (2-1)

11′, 63′ Mahrez