Pasditen e sotme është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare një nga emrat më të mëdhenj të basketbollit shkodran, Skënder Osmani i cili në karrierën e tij nuk është dalluar vetëm si sportist cilësor por për disa vite ka drejtuar edhe ekipin e Vllaznisë së femrave. Ka lindur më 27.11. 1936 dhe e ka nisur herët basketbollin por do bëhej shpejt i njohur duke luajtur jo vetëm me ekipin shkodran por edhe me Dinamon dhe ekipin kombëtar. Ka arritur të fitojë Kupën e Republikës me Vllazninë në vitin 1957 duke luajtur përkrah emrave të tillë si Esat Haxhi, Muhamet Sokoli, Vehbi Ademi, Luan Shatku, Sandër Laca e Ali Quku.


Po ky ekip do të fitonte kupën edhe në vitin 1958 ndërsa një vit më vonë, në finalet e Spartakiadës së parë kombëtare, Vllaznia do zinte sërish vendin e parë.Pas lënies së karrierës sportive, nisi punë si trajner duke drejtuar për disa vite ekipin e femrave të Vllaznisë ndërkohë që në rininë e tij do të injektonte dashurinë për këtë sport edhe tek i vëllai, Petriti, një tjetër sportist dhe trajner kampion. Ceremonia e varrimit të tij do të bëhet nesër (e hënë) në orën 13.00. Me këtë rast edhe gazeta SHKODRA SPORT, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Osmani për humbjen e njeriut të saj të dashur por natyrisht që kjo është një humbje edhe për klubin Vllaznia dhe basketbollin shqiptar.
Gjergj KOLA