Vllaznia nuk shkoi më shumë se barazimi në shifrat 0-0 kundër Dinamos. Shkodranët ndalën disi hapin e tyre të fitoreve dhe tashmë kjo mund të cilësohet si një “ndalesë”. Por ajo që ra mbrëmë në sy në “Elbasan Arena” ishte performanca e portierit të Dinamos.
Në katërkëndësh për herë të parë në Superligë debutoi një 17-vjeçar. Quhet Simon Simoni dhe është me origjinë nga qyteti i Lezhës, zhvilloi një paraqitje më se pozitive kundër Vllaznisë. Madje shtatlarti ishte vendimtar me pritjet e tij në 2-3 momente shumë të rrezikshme të paraqitura në portën e tij.
Pritja e tij kundër Aralices rezultoi shumë vendimtare në fatet e takimit. Zgjedhja si titullar e Simonit ishte e detyrueshme për trajnerin Shkëmbi. Kjo pasi Dinamos i mungonin për arsye shëndetësore si portieri kryesor Harizaj e po ashtu Bakaj që ka qenë titullar në sfidat e fundit.
Por kjo ishte një leksion për futbollin shqiptar në përgjithësi. Kjo për ti besuar akoma më shumë elementit të ri dhe të prespektivës. Jo gjithmonë këto surpriza të bukura duhet të jenë të “detyruara” nga rrethana të ndryshme. Kjo vërteton edhe njëherë se kampionati ynë mund të prodhojë lojtarë të talentuar të cilëve iu duhet dhënë mundësia të tregojnë vlerst e tyre.
Endri ÇINARI