Ekipet shqiptare kane bere nje paraqitje te dobet ne ndeshjet e sotme te vlefshme per Europa Leagur. Nder tre ato, vetem Laç eshte munduar “te mbaje” ne vend dinjitetin e futbollit shqiptar, ndersa Kukesi e Teuta jane mundur me rezultate te pastra, nga 3-0 secili.

Kurbinasit barazuan me rezultatin 1-1 në një ndeshje ku favoritët kryesorë ishin miqtë nga Izraeli, kjo edhe për shkak të përfaqësimeve të tyre dinjitoze në kompeticionet e mëparshme evropiane.

Ekipi i Starovës kaloi i pari në avantazh që në minutën e tretë me një gol të shënuar me kokë brenda zonës nga sulmuesi Nwabueze. Pas këtij goli miqtë u hodhën në sulm për të shënuar, por ishin të paqartë para portës.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Laçit. Në pjesën e dytë izraelitët e Hapoel Beer Sheva-s kërkuan me ngulm shënimin e një goli dhe ja arritën qëllimit vetëm në minutën e 78-të të takimit me Leva.

Tashmë laçianët do të presin dhe një javë për të mësuar nëse do të kalojnë në raundin tjetër të Europa League, por mund të themi se ndeshja e sotme, pavarësisht emrit të ekipit mik tregoi se diferencat në fushë ishin inekzistente.

Nderkohe ekipi i Teutës së Durrësit është mundur me rezultatin 3-0 nga Ventspils në ndeshjen e parë eliminatore për Europa League. “Djemtë e Detit” janë pothuajse të eliminuar nga kompeticioni evropian dhe nevojitet një mrekulli për ta për të kaluar në raundin tjetër.

Goli i parë për ekipin vendas u shënua nga Sergiychuk që në minutën e 5-të të takimit. Ventspils dyfishoi rezultatin me Ulimbasevs në të 78-n. Goli i tretë u realizua nga Aiyegun, 2 minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt. Ndeshja e kthimit Teuta-Ventspils do të luhet pas një jave në “Niko Dovana” të Durrësit.

Me rezultatin 0-3 eshte mundur edhe Kukesi ne ndeshjen e luajtur ndaj hungarezëve të Debrecen.Ekipi verilindor u mund nga ekipi vendas i Debrecen me rezultatin e pastër 3-0 duke i çuar në zero shanset për kalimin në turin tjetër të Europa League.

Nënkampionët e Shqipërisë, edhe pse zhvilluan një pjesë të parë të mirë, me disa raste shënimi u shpërfytyruan brenda 30 minutash lojë në pjesën e dytë. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 54-t me një gol nga sulmuesi Haruna Garba. Më pas, një dygolësh i sulmuesit tjetër Kevin Vargas në 77-n dhe 83-tën e vulosi rezultatin në 3-0.