Pas humbje zhgënjyese ndaj Egnatias në Rrogozhinë dhe për më tepër pas një loje që la shumë për të dëshiruar ndërprerja e kampionatit duket se ka ardhur në momentin e duhur për kuqeblutë. Kjo humbje duket se ka ndikuar jo pak që situata të mos jetë e qetë në kampin shkodran, por pikërisht në këtë moment, ka ardhur pushimi i kampionatit për shkak të angazhimeve të ekipeve kombëtare.

Për shumë arsye ndërprerja duket si “melhem” për shkodranët. Vllaznia në përballjen ndaj Egnatias nuk kishte as më pak dhe as më shumë, por mungesën e gjysmës së lojtarëve titullarë.

Mungesat e Gurishtës, Jonuzit, Latifit dhe Da Silvës të dëmtuar, si dhe Aralicës të pezulluar, ndikuan jo pak te paraqitja që skuadra e drejtuar nga trajneri Elvis Plori tregoi në atë transfertë.

Sulmuesi Aralica është i gatshëm për ndeshjet në vazhdim, Kupë dhe kampionat, pasi e shleu pezullimin nga kartonët ndaj Egnatias. 10-ditëshi i ndërprerjes pritet që të ndikojë pozitivisht edhe për lojtarët e dëmtuar.

Kapiteni Gurishta dhe po ashtu mesfushori Jonuzi që kanë qëndruar më gjatë jashtë fushës parashikohet që të jenë gati që sot për stafin teknik, duke iu bashkuar skuadrës në stërvitjen e parë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e 30 marsit ndaj Partizanit në Kupë.

Po ashtu, pritet edhe rikuperimi në kohë për Latifin dhe Da Silvën. I pari që u dëmtua në takimin ndaj Tiranës, por nuk arriti që të rikuperohej për takimin ndaj Egnatias. Da Silva, pavarësisht se ka një periudhë të gjatë jashtë fushe, pritet që këtë javë të bashkohet me grupin.

Nisur nga kjo panoramikë dhe kohë që kanë në dispozicion, Vllaznia mendohet të jetë e plotë para gjysmëfinales së parë të Kupës ndaj Partizanit.

Nga ana tjetër kjo ndërprerje e kampionatit do t’i vlejë më shumë edhe trajnerit Plori për të sjellë qetësinë në skuadër dhe përmirësimin e gjendjes psikologjike.

Vllaznia e nis javën përgatitore pas dy humbjeve të njëpasnjëshme, me Tiranën dhe Egnatian, ku kjo e fundit duket se ka “djegur” më shumë se ajo ndaj bardhebluve.

Kuqeblutë nuk janë brenda objektivave tani në kampionat dhe në Kupë duhet që të bëjmë më të mirën. Për këtë arsye, i duhet të mbledhë forcat për të shpëtuar sezonin.